RRETH MANUALIT

Manuali mbi “Raportimin e Ngjarjeve Kriminale dhe Çështjeve Gjyqësore në Media” është një publikim i Rrjetit Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri - BIRN Albania.

Autorët e këtij manuali janë:

  • - Flutura Kusari, Juriste e të drejtës së medias
  • - Dorian Matlija, Avokat, Qendra ‘Res Publica’
  • - Elira Çanga, Eksperte e medias

Ky manual është një burim online për gazetarë, studentë të gazetarisë, studiues dhe njerëz që kanë një interes mbi median dhe në mënyrë të veçantë mbi mënyrën si kjo e fundit raporton nga terreni ose gjykatat mbi konflikte të ndryshme, aksidente, krime apo beteja gjyqësore për të cilat ka një interes të legjitimuar publik. Përdorimi i këtij udhëzuesi në internet është tërësisht i hapur dhe për ta shfletuar elektronikisht atë nuk ka nevojë për kode, regjistrim apo abonim të çdo lloji.

Ky manual është ndërtuar për t’i dhënë gazetarëve, praktikuesve të gazetarisë por edhe publikut të gjerë, një shpjegim të përditësuar mbi institucionet dhe hirearikinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri, si dhe rrugën që ndjekin çështjet civile dhe penale nëpër gjykata dhe prokurori e deri në ekzekutimin e tyre. Gjithashtu, manuali shërben dhe si udhëzues për gazetarët që raportojnë nga gjykatat dhe terreni, për të njohur të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, rregullimin dhe vetërregullimin e medias në Shqipëri, si dhe parimet bazë të së drejtës për informim, siç njihet në legjislacionin vendas ashtu dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare. Ky manual mëton të japë këshilla mbi praktikat më të mira me anë të të cilave gazetarët raportojnë ngjarjet kriminale apo konfliktet gjyqësore, si dhe marrëdhëniet e tyre me burimet dhe sinjalizuesit.

Tre kapitujt pasardhës të këtij manuali (II, III, IV), të cilët mund të aksesohen lehtësisht nëpërmjet menusë në të majtë të kësaj faqe ku listohen kapitujt dhe nënkapitujt, përmbajnë një përshkrim të detajuar mbi organizmin e sistemit gjyqësor në Shqipëri, rrugëtimit që bën një çështje civile, administrative apo penale, nga momenti i ngjarjes deri në zgjidhje përfundimtare të konfliktit, si dhe një përshkrim të administratës së gjykatës dhe prokurorisë.

Më gjerësisht:

Kapitulli i II përfshin një përshkrim i shkurtër i sistemit gjyqësor në Shqipëri, ku përshkruhen llojet e gjykatave dhe kompetencat e tyre lidhur me shqyrtimin e çështjeve, shtrirja gjeografike e tyre dhe kompetencat lidhur me vendin ku ndodh ngjarja apo ku banojnë apo kryejnë veprimtarinë e tyre palët e një procesi.

Kapitulli i III prezanton në mënyrë skematike rruga që ndjek një çështje që në momentin e ndodhjes së ngjarjes, në rastin e ngjarjeve penale, ose që në momentin e regjistrimit të një kërkese për gjykim në rastin e gjykimeve me natyrë civile dhe administrative, deri në ekzekutimin e vendimit të gjykatës, të ndara sipas llojit të gjykatës që ka dhënë vendimin që do të ekzekutohet, nëse është civile apo penale.

Kapitulli i IV përshkrun administratën e organeve hetimore dhe gjyqësore, ku përfshihen kancelarët, sekretarët, shërbimi i arkivit, si dhe i marrëdhënieve me publikun, duke theksuar rolet dhe përgjegjësitë e secilit aktor në organogramën e këtyre institucioneve.

Kapitulli i V jep një tablo të gjerë të lirisë së shprehjes dhe medias në Shqipëri,kapitulli i VI dhe i VII fokusohen më imtësisht në praktikat më të mira ku bazohen gazetarët për të raportuar ngjarjet kriminale dhe çështjet gjyqësore, ndërsa kapitulli VIII dhe IX japin një pasqyrë për marrëdhënien dhe detyrimet e një gazetari ndaj burimeve dhe sinjalizuesve – si dhe diferenca midis tyre.

Kapitulli i VI është i ndarë në disa nënkapituj që shpjegojnë parimet bazë në raportimin e ngjarjeve kriminale, si verifikimi i informacionit, prezumimi i pafajësisë së të dyshuarve, kujdesi që duhet treguar nga gazetarët ku raportojnë për raste që përfshijnë minorenë, ndikimi që lajmet e tyre mbi ngjarje kriminale mund të kenë te publiku i gjerë, si dhe teknikat e raportimit dhe burimet e informacionit të nevojshme për çdo gazetar.

Kapitulli VII përfshin parimet kryesore që një gazetar sugjerohet të ndjekë gjatë raportimit nga gjykata, aksesi që ai ka në aktgjykime dhe e drejta për të fotografuar seancat gjyqësore. Gjithashtu në këtë kapitull përfshihen udhëzime për mbrojtjen e të dhënave personale të subjekteve për të cilët gazetarët raportojnë, kufizimet që gazetari ka në raportim si dhe bazat për të përcaktuar se çfarë informacioni përbën interes publik. Pjesë e këtij kapitulli janë dhe një numër këshillash praktike për gazetarët që raportojnë nga gjykatat dhe detajet që e bëjnë një çështje gjyqësore me interes për publikun. Kapitulli jep dhe një përkufizim të shpifjes dhe bazën ligjore ku ajo bazohet në Shqipëri, një çështje gjithmonë e mprehtë dhe me pasoja financiare për median dhe reporterët.

Kapitulli i VIII përqendrohet tek burimet të cilat një gazetar përdor në punën e tij për t’iu qasur lajmeve mbi ngjarjet kriminale dhe ato nga gjykata, dhe në mënyrë të veçantë përgjegjësitë e tij për të ruajtur identitetin e burimeve, të cilat luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në informimin e publikut. Në një kohë kur rrjedhjet masive të informacionit, siç janë të dhënat e bëra publike nga ‘Wikileaks,”ky kapitull gjithashtu jep përkufizimin se kush konsiderohet një burim gazetaresk dhe çfarë ndryshimi ka ai nga gazetari, si dhe këshilla praktike për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve.

Kapitulli i IX i këtij manuali elektronik fokusohet tek sinjalizuesit, ndryshimi që ata kanë me burimet e gazetarëve, parashikimet e legjislacionit shqiptar për rolin dhe mbrojtjen që iu jep ligji si dhe parimet ndërkombëtare për mbrojtjen juridike të tyre.

Disa nga kapitujt e këtij manuali ilustrohen me vendime dhe kazuse konkrete të institucioneve shqiptare, si Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Po ashtu në manual paraqiten raste nga gjykatat vendase dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila konturon të drejtat e medias dhe lirisë se shprehjes edhe në Shqipëri.

Në përfundim, BIRN Albania synon që në të ardhmen e afërt ta përditësojë në mënyrë të vazhdueshme këtë manual me kapituj të ri që kanë si qëllim ta bëjnë atë një instrument reference për gazetarët dhe publikun, për sa i përket rolit të medias në raportimin e gjyqësorit dhe ngjarjeve të kronikës, duke synuar të rrisë standardet profesionale, të promovojë sjellje etike dhe të përmirësojë në tërësinë e saj cilësinë e raportimit të medias, si një shtyllat ku mbështet një shoqëri demokratike.